10 vjet në UNESCO

Ndoshta, unë nuk jam njeriu i përshtatëshëm të shkruaj për këngën labe dhe për vlerat e saj, por në këtë ditë te 10 vjetorit nga shpallja e Iso-Polifonise Popullore Shqiptare, Kryeveper e Trashegimise Gojore dhe Shpirterore te Njerezimit, dua te them dhe unë dy fjalë.

 

Që të duash diçka duhet që ta ndjesh atë dhe po nuk e ndjeve këngën labe nuk ka sesi ta duash. Labçja siç jam mësuar unë ti them është me të vërtet një perlë e folklorit tonë. Ajo ka lindur mbashkë me kombin tonë, e ka shoqëruar gjatë gjithë udhëtimit të tij e do shuhet vetëm nëse nuk do te ketë më Labëri dhe lebër që ta këndojnë.

Ajo të mahnit me bukurinë e saj, të bën të mendohesh sesi një grup zërash mund të kërcejnë aq bukur me njeri tjetrin dhe arijnë tê nxjerrin një tingull që dhe orkestrat më të mira do ta kishin zili. E në mes të këtyre zërave secili ka rolin e vet, në mes të kësaj orkestre të mahnitëshme ti mund të dallosh marrësin, kthysin, hedhësin dhe ison. Është shumë interesant fakti sesi ka mundur të trashëgohet ajo brezë pas brezi, pasi për të kënduar një këngë labe duhe tre e më shumë veta.

 

Përveç meritave kulturore që kënga labe mbart ajo si të gjitha rrymat e tjera të këngëve mbart dhe një merit te madhe për kombin tonë. Në vargje e saj ti dëgjon historinë e këtij kombi, sepse kënga labe më shumë se dashurisë I ka kënduar historisë, luftrave dhe trimave të kombit tonë. Nëse do të njohësh historinë e popullit shqiptar dëgjo këngë labe.

 

Një falenderim shkon për të parët tanë që na e përcollën brez pas brezi këngën labe.

Nje falenderim te veçant dhe për rapsodët që në vargje derdhën shpirtin e tyre e i dhanë brumin këngës labe, janë të shumtë ata që jetën e ngrysën me penë mbi fletore dhe që shoqëria shqiptare ka bërë kaq pak për ta. Të tillë si Maliq Lila, Hamdi Pulo, Dule Havari, Zaho Balili, Mite Guga e Lefter Haxhiraj (pas vdekjes) po edhe Muhamet Tartari, Kujtim Mici, Feti Brahimi, Teno Lena, Pelivan Bajrami, Meleq Kapllani, Kastriot Muçaj, Nexhip Sera, Tomorr Lelo, Koço Vasili, Nertesi Asllani, Sejmen Gjokoli, Lefter Çipa etj.

Por nje falenderim shkonë dhe për këngëtarët që i dhanë e i japin jetë vargjeve me zërat e tyre si bilbila. Siç janë Xhevat Avdalli, Laver Erindi, Demo Çenko, Alush Milori, Arap Mero, Qiriako Bala, Vangjel Gjiçali e Beqir Laçe ( pas vdekjes), por edhe një armatë të gjallësh, si Dhimitër Varfi, Përparime Ziflaj, Vitori Balili, Treshja e Dukatit (Gjoleka, Vangjeli, Bozhani), Petrit Matushi, Hysen Ruka, Arjanit Daupi, Rrahmën Nuredini, Katina e Emrioni Mërkuri, Katina Bejleri, Arjan Shehu, Mehmet Vishe, Syrja Hodo, Nebi Xhaka, Nazif Çela, Golik Lika, Fatbardha Hosi, Vendim Kapaj, Bejushe Barjamaj, Ajet Duka, Sinan Gjoleka, Spiro Çino, Fatosh Liko, Syrja Brahimaj, Berdo Berdaj, Lesko Dervishaliaj, Vasil Sera, Shkëlqim Guçe, Roland Çenko, Dituri Thana, Valbona Nora, Pirro Latifi,Tahire, Bozhani, Veledin Korkuti, Përparim Nora, Hekuran Gjokoli, Pirro Këlliçi, Kalo Bregu, Vendim Zyka, Viron Laci, Defrim Mustafaraj, Pirro Bregu, Bexhet Mahmutaj. Shezo Bushi, Bujar Sinani, Ramën Balili, Vait Llaci, Lilo LLaci, vëllezrit Zifla të Hormovës, Golik Jaupi etj.

 

Është detyra jonë që të promovojë folklorin tonë dhe këngën labe. Për me tepër, në këto kohë të tregut të lirë në të cilën jetojmë, vëmendja e dëgjuesve por edhe e rapsodëve dhe grupeve labe është larguar nga kënga labe dhe i është drejtuar asaj popullore duke e lënë pas dore atë. Ne duhet t’ua përçojmë këngën labe brezave që do të vijnë, ashtu siç na e transmetuan prindrit tanë neve.

 

Të faleminderit kënga labe

 

 

Posted in Postime | Comments Off on 10 vjet në UNESCO

Malli zemrën e ka marrë

Nga Agim Basha

Shoqata Vatra Labe, e ka thënë prej kohësh, që në ditëlindjen e saj se: do të jetë vatra e ngrohtë, vatra e dashur e vendlindjes, vatra e shtëpive tona, ku do të ketë vend për të gjithë. Ajo, e ka thënë dhe e ka bërë realitet ç’do zotim të saj, çdo fjalë të dhënë. Natyrisht, duke lënë në ”zhgënjim të thellë” ndonjë grup të vogël interesaxhinjsh. Megjithatë, dera e shtëpisë së kësaj vatre është gjithmonë e hapur. Detyrimet e saj karshi komunitetit janë të shumta, synimet janë të mëdha. Njëri prej detyrimeve të saj, është edhe gjetja dhe afrimi, publikimi, njohja për komunitetin e figurave dhe personaliteteve që i kanë dhënë vlera, dhe nderojnë komunitetin tonë lab e më tej. Zakonet tona të Labërise janë të mençura, sepse janë të lashta. Janë përcjellë gojë më gojë, e kanë mbërritur deri në ditët tona. Dhe kjo, falë respektit, vlerësimit, dashurisë dhe patriotizmit, që kanë ndjerë e treguar të parët tanë. Dhe që, po me dashuri dhe vullnet na e përcollën edhe ne, me qëllim që ti mbrojmë, ruajmë, respektojmë dhe tua përcjellim të tjerëve që vijnë pas nesh. Dhe, pikërisht ne, prandaj e krijuam këtë shoqatë dhe po punojmë ta rrisim e zgjerojmë ta bëjmë pasuri, dhe vlerë që të na shërbejë të gjithëve. Sidomos sot, në kohë vështirësie ekonomike, por akoma më tepër në kohë krizash shoqërore ku humanizmi dhe marrëdhënjet shoqërore, solidariteti dhe bashkëpunimi po tkurren e humbasin terren pra, sidomos sot ne kemi më tepër nevojë për një çati ku të mblidhemi të gjithë. Sepse në këtë shtëpi të dashur jetojnë dishepujt dhe vlerat.

Një rast i tillë është edhe ky i sotmi

Sot e 14 vjet mungon mes nesh (por vetëm fizikisht) një mungesë që shpesh nuk bie në sy. Nuk bie në sy sepse Zahua është i pranishëm mes nesh atje ku këndohet kënga labërishte, atje ku merret vallja e rëndë burrërishte, atje ku i këndohet nuses, dhe dhëndërit, atje ku i këndohet një stani me bagëti, atje ku çelin manushaqet, atje ku puthet balli i mëmëdheut në shenjë përnderimi atje ku ikin mërgimtarët, është Zahua në këngën e zogjve, në ligjërimet e krojeve të pranverës. Është në çapin e lehtë të sorkadhes, është në ligjërimet e krojeve dhe gurrave të kurveleshit, të Rexhinit për të cilin këndoi këngë zemre gjithë jetën e tij të shkurtër por të begatë. Është ai, i pranishëm me shpirtin e tij të ndjeshëm dhimbjen dhe hallet e mërgimtarëve, është i pranishëm nëpër gëzimet tona është atje ku është isua dhe polifonia atje ku është dasma e kënga

MALLI ZEMRËN E KA MARRË

Me këtë varg të bukur të njërës prej këngëve të mira të tij, mund ta nisë dikush fjalën e rastit për njërin prej korifejve të këngës polifonike labe Iso-polifonisë siç thuhet në gjuhën e shkencës moderne të etno-muzikologjisë për poetin, rapsodin, krijuesin, këngëtarin e apasionuar të këngës labe dhe asaj popullore, për drejtuesin artistik të disa prej grupeve polifonike më të dëgjuara në vend dhe jashtë Shqipërisë për artistin e madh popullor që sot, e prej vitesh të gjata na mungon Zaho Balilin.

-Malli zemrën e ka marrë/ Mu kujtua ky varg i njërës prej këngëve të tij, pikërisht,  sepse Zahua ka vite që nuk është më fizikisht mes nesh. Ai, ka ikur në atë qiellin e tij dhe duket sikur sikur që atje dëgjon këngën që na la. Atë këngën e tij fisnike që gurroi nga shpirti i tij i kristaltë si burimet, si përrenjtë, si krojet dhe gurrat e pashteruara të Rexhinit të tij të dashur

Njëri prej njohësve më të mirë të traditës folklorike dhe asaj popullore të mënyrës së jetesës, zakoneve, dokeve, kanuneve, etnografisë dhe historisë së krahinës së labërisë. Zaho Balili do të mbetet galeria dhe një stilist i famshëm i këngës polifonike labe. Ai, më shumë se gjithçka, është një Rilindas i kohës sonë. Një vazhdues i denjë i asaj tradite të shkëlqyer shqiptare. Përse e quajta Rilindas unë Zahon, do pyesni ju? Po, në gjithë veprën e tij poetike, por edhe në prozën e kufizuar të tij, për shkak të ikjes së parakohshme do të gjesh ato motive, ato dëshira, ato synime dhe qëllime, ato ideala të larta që, i kishin shpalosur një shekull më parë ata, Iluministët e mëdhenj shqiptarë Rilindasit. Po atë epokë, por në kushte të reja ka zgjuar nga gjumi edhe rapsodi Z. Balili. Zgjoi një epokë të lavdishme jo për ta imituar jo për ta rifreskuar përkundrazi, lidhja me atë epokë bëhet vetvetiu prej risisë, larmisë së temave dhe motiveve, sepse Z. Balili solli në dritë atë lëndë të begatë që nuk ishte tjetër, përveç se lënda e parë dhe vetë tharmi i ndërgjegjes sonë kombëtare. Në pesë librat që mundi të botojë në gjallje nuk mund të përfshihet e gjithë krijimtaria e tij poetike, ose në prozë. Në pesë librat e tij është thjesht një pjesë e shpirtit të tij të kristaltë si uji i borës së maleve të Nivicës e Rexhinit, si gurrat e atyre viseve të dashura si fjala, si dashuria, thjeshtësia, ngrohtësia dhe humanizmi i atyre njerëzve fisnikë. Në rapsodinë e Zahos mund të gjesh shpirtin e tij, që ndjehet në këngën e zogjve shtegtarë, në fluturimin e shqiponjës, në vetëtimën e syrit të vashës labe, në stanet e bagëtive, në qëndresën e gurit, në flakën e stërrallit, në mjegullnajën e luginave, në jehonën e humnerave, në shushurimën e valës së lumit, në fëshfëritjen e gjetheve të stinës, në ujvarat shkumëbardha, në vështrimet e pleqve, në zemërtherjen e nënave, në udhëtimin e emigrantëve, mërgimtarëve, kurbetllinjve në vajtimin e qyqeve, në çeljen e manushaqeve, në habinë fëminore të poetit në kallirin e grurit, në aromën e mollëve, në shtegtimin stinor të tufave e barinjve, në mallin e rinisë së poetit, në këngën e tij të dashurisë

Tematika. .

Në krijimtarinë e poetit dhe rapsodit Zaho Balili, tematika është e larmishme, është e gjerë, e thellë e shumanshme. Është e larmishme si vetë blerimi i përhershëm i luleve që do ti gjesh në çdo stinë të vitit në malet dhe kreshtat e lartësive të krahinës së labërisë, tematika e krijimtarisë së tij është e gjerë ashtu siç janë të lartë e të gjerë malet, fushat, luginat e krahinës. Është e thellë ashtu siç është i thellë mendimi dhe filozofia popullore e labërisë.

Në tematikën e krijimtarisë Rapsodike, poezisë popullore, apo asaj moderne (sepse ka një pjesë krijimtarie të tillë) do të gjesh motive të freskëta e hijeshi rinie, do të gjesh flakërima zemrash, motive idilike, e dashurore. Në themel të gjithë krijimtarisë së poetit Z. Balili është e pranishme si fryma për shpirtin ajo, e përjetshmja dashuria. Ajo dashuria e madhe njerëzore, humane dhe ajo intime e prandaj vjershërimi i Zahos lexohet me një frymë, rapsodia e tij, këndohet me gjithë zërat e shpirtit. Ashtu siç kënduan dhjetëra grupe polifonike që morën dhe përcollën edhe për ne ndër vite muzën Zaho-ijane. I kënduan këngët e tij grupi i hormovës që mban edhe vulën ”safi” të Zahos kur në festivalin e vitit 1988 në Gjirokastër e bëri të dridhet edhe kalanë hijerëndë të Argjirosë me këngën simbol ”Flaka mbuloi fshanë. ” Të shumta janë grupet që i morën dhe i bënë emocione shpirti vargjet drithëruese të Zahos ato që i kënduan trimërisë shqiptare, dashurisë për atdheun e vendlindjen, (një vend të veçantë zë kjo krijimtari) ato që i kënduan punës, gëzimit lindjes, dashurisë, familjes shoqërisë. Ato që i kënduan një luleje që porsa çeli, një zogu, një pylli, një djali që mbeti në dëborë një udhe të gjatë pambarim të një mërgimtarë një fati të zi, por mbi të gjitha dashurisë mallit njerëzorë. Atij malli që përmbledh plot kuptim vargu i tij. Malli zemrën më ka marrë.

Ashtu sikurse ne, malli për të na ka marrë!

Posted in Postime | Comments Off on Malli zemrën e ka marrë