Shkolla Shqiptare e Athines

Nga Klodian Balili

Viti i ri shkollor për “Shkollën shqiptare të Athines”, i cili zhvillohet nën kujdesin e shoqatës “Lidhja për bashkëpunimin shqiptaro-greke“ ka filluar që në fillimin e muajit Tetor. Mësimet zhvillohen në ambjente moderne, me të gjitha kushtet e nevojshme, të ofruara nga vetë shoqata. Çfarë cilësohet si e veçantë, në këtë  vit shkollore është rregjistrimi i fëmijëve në klasat e para. Në këto klasa janë rregjistruar 66 fëmijë, të cilët janë caktuar në 5 klasa.  Dy aspekte janë esenciale: 1) E para dhe më kryesorja tregon që komuniteti shqiptar i emigrantëve në Greqi është ndërgjegjësuar për vlerat që ka mësimi i gjuhës shqipe, si nga ana e diturisë, (mësimi i gjuhës amëtare) por dhe për fakti se gjuha mbetet instrumenti kryesor i të ardhmes së çdo individi. 2) E dyta, ky ndërgjegjësim i prindërve por edhe dëshira dhe vullneti i fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe na ofron mbështetje dhe kurajo për të vazhduar përpara iniciativën e ndërmarrë nga kjo shkollë. Disa prej mangësive që vërehen në këtë vit shkollor si edhe më përpara janë: mungesa e abetareve, për të cilat është ofruar një lloj garancie nga Ambasada shqiptare në Athinë për sigurimin e tyre, në rast të kundërt abetaret do të mundësohen nga ne duke i blerë nga një shtëpi botuese në Shqipëri.

Një tjetër dizavantazh në mund ta quajmë të tillë, mbetet mbështetja e ofruar nga shteti shqiptar, i cili duhet të ofronte më shumë mbështetje për shkollat shqiptare kudo që ato ndodhen në emigracion. Fëmijët shqiptarë kudo ku jetojnë jashtë atdheut të tyre janë ambasadorët e vërtet të interesave të kombit shqiptar në shumë aspekte: histori, tradita, zakone, kulturë si dhe transmetimin brez pas brezi të gjuhës shqipe në mënyrë të tillë që gjurmët e saj të mos humbasin.
Une dua të jem realist për situatën dhe kohën në të cilën jetojmë, ndërkohë që qeveria e re shqiptare po përpiqet të rindërtojë një identitet të ri presim prej saj nëpërmjet të zgjedhurve të saj, të na mbështesin dhe të na krijojnë mundësinë për të përhapur gjuhën shqipe në brezat e rinj.

Une dua ta kthej vëmendjen te komuniteti i emigranteve në Greqi sepse sa më shumë të jemi të bashkuar aq më shumë do të dëgjohen kërkesat si dhe të drejtat tona si nga shteti ynë ashtu edhe nga ai grek. Një kontribut të vyer mund të ofrojnë dhe kompanitë private në Shqipëri, të cilat kanë mundesinë të na ndihmojnë nëpërmjet sponsorizimeve të ndryshme.

Shkolla shqiptare në Athinë funksionon si një degë e Lidhjes për bashkëpunimin shqiptaro-greke, dhe si e tillë ajo njihet edhe ligjërisht nën kuadrin e kësaj lidhjeje. Si nënkryetar më përket të garantoj krijimin e kushteve të përshtatshme për mbarëvajtjen e mësimdhënies por edhe të vet funksionimit të shkollës në tërësi. Njëkohësisht, mbetet e rëndësishme roli i stafit pedagogjik dhe krijimi i të gjitha kushteve dhe plotësimi i kërkesave të profesorëve. Pas mbylljes së kompanisë “besxpert” e cila ka financuar shkollën për gjith këto vite, vështirësitë ekonomike janë shtuar së tepërmi por megjithatë kemi arritur të sigurojmë buxhetin edhe për këtë vit shkollor. Dëshira jonë është që kjo shkollë të vazhdojë të funksionojë edhe në vitet në vazhdim, por kjo do të varet nga disa faktor kyç: 1)Interesimi dhe kërkesa e emigrantëve për të mësuar gjuhën; 2) ndihma ekonomike ngado që ajo mund të vijë, qoftë edhe nga shteti shqiptarë ose biznes privat; 3) gadishmëria dhe dëshira e shoqatës për të vashduar këtë punë për të cilën unë jam i sigurt se dëshira e madhe nuk mungon për aq kohë sa kjo lidhje do të ekzistojë.

 

Te pastrojme Shqiperine

Shkolla Shqiptare e Athinës

Shkolla Shqiptare e Athinës, siç e thëret prej 8-vitesh komuniteti shqiptar në Athinë, organizon Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe për të tetin vit me rradhë edhe në vitin shkollor 2013-2014.

Shkolla funksionon nën drejtimin e “Lidhjes për Bashkëpunimin Shqiptaro-Grek” krijuar në vitin 2006 nga nxënësit emigrantë të shkollës së informatikës BestXpert të çiftit Lorenc dhe Orjeta Koka dhe ligjëruar nga Gjykata e Athinës në vitin 2009. Biznesi BestXpert ishte gjithë këto vite sponsorizuesi bazë i Shkollës Shqiptare të Athinës duke ofruar falas për vite me rradhë mjediset dhe klasat për zhvillimin e mësimeve të gjuhës shqipe nga mësueset vullnetare. Gjithashtu sponsorizime nga prindër dhe biznesmen shqiptarë kanë qenë dhe janë një ndihmë e madhe që shkolla të funksionojë gjithë këto vite.

Vazhdimisht Lidhja ka organizuar dhe organizon aktivitete të shumta kulturore dhe argëtuese me nxënësit dhe dashamirësit e shkollës. Këto aktivitete na kanë ndihmuar të njihemi më mirë me njeri tjetrin dhe të zbavitemi në mënyrë të kulturuar dhe mbi të gjitha kanë ndihmuar jo vetëm në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe zakoneve të origjinës, por edhe të njihemi më mirë me kulturën dhe historinë e vendit pritës duke ndihmuar në integrimin me dinjitet në shoqërinë vendase.

Në këtë moment ofrojnë ndihmën si mësuese vullnetare pranë shkollës sonë zonjat: Ermira Morina, Mimoza Hida, Entela Ballaci/Kondi dhe Julina Pesha/Sinani.

Folklori i Tepelenës, ky madem i pashterur folklorik

Nga Petrit RUKA

Folklori i Tepelenës, ky madem i pashterur folklorik.

Kumtesë e mbajtur në simpoziumin e organizuar me rastin e festës së 15 shtatorit-Dites së Çlirimit të Tepelenës.

 

Përshendetje te gjithëve dhe gëzuar festën tonë të përbashkët.

Kur më kërkuan të vij në këtë festë dhe të mbaj një fjalë modeste, duke ma lënë të lirë temën që do të zgjidhja, rashë në hall sepse më duhej të zgjidhja. E ndava mendjen se dy janë gjërat me të cilat Tepelena jonë e vogël mund të krenohet pa ia bërë syri tërr se mund të akuzohet për ndonjë krekosje provinciale, sic ndodh rëndom me vendet e vogla. Historia dhe kënga, pasuria e saj folklorike. Pas kaq dekadash, tani kur po trokas në muzg të jetës, jam bindur më në fund, se Vendlindja ime dhe e juaja, është një kryeqendër folklorike, një thesar i çmuar i artit popullor dhe ndoshta një nga margaritarët më të të rrallë në thesarin e kulturës sonë kombëtare në fushën e trashëgimisë popullore. Mbetet një çudi më vete dhe për t’u studiar seriozisht, se cilat janë arsyet që njerëzit e kësaj ane kanë krijuar kaq shumë perla folklorike, duke shkruar me to historinë e jetës, të luftrave dhe ngjarjeve të këtij vendi.

E me që jemi në 15 shtator, në festën e çlirimit të këtij retthi, le ta nisim që këtej. Dihet që Lufta Nacinalçlirimtare, krahas gjakut të ndershëm për liri, derdhi në trashëgiminë e këngës popullore edhe disa nga kryeveprat e letërsisë së saj gojore. Dua t’ju kujtoj se kënga më e thekshme kushtuar atyre mijra djemve e vajzave që ranë në lulen e rinisë, për të bërë Shqipërinë e re, është lindur këtu, në Tepelenë dhe me sa di unë prej një djali nga fshati Bënçë…

Vini re çfarë mrekullie ka në këtë përgjithësim poetik.

“Seç erdhi pranvera, ra një zi për ne,

Lule, more trima që ratë për atdhe.

Ju kish lindur nëna për një botë të re,

Lule more trima, që ratë për atdhe.”

 

Ky është një himn i vërtetë, për më të madhen dhe më të ndriturën luftë të organizuar që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në histori për lirinë e tyre. Kënga është ngritur mbi fjalë kaq të thjeshta që në pamjen e parë mund të të krijojnë mendjelehtësinë të mos i marrësh edhe aq seriozisht nga pikepamja e fuqisë emocionale. Por është krejt e kundërta. Së pari ajo ngihet mbi kundërti të forta emocionale. Pikërisht atëhere kur erdhi pranvera, mu në mes të gëzimit pllakos një zi, madje ajo bie, nuk vjen. Kënga thotë “ra,” a thua se kemi të bëjmë me një fenomen natyror që bie nga qielli, si shiu, bora, tërmetet, tufanet. Ajo “ra” sepse ajo është e madhe, nuk erdhi. Gjërat e vogla vijnë, të mëdhat bien, pllakosin. Është fjala për dhembjen dhe ajo është kaq e madhe sa vetëm mund të bierë. Doemos, kishte ndodhur hataja. U vra Asimi, Abazi, Mustafai, dhe dhjetra djem te tjerë 20- 25 vjeçarë. Ata i kish lindur nëna “për një botë të re,” thotë kënga. Ata ishin taksur si kurbani i madh i lirisë. Një brez i tërë i falur për kohë të madhe. E çuditshme. Po të bësh një logari të thjeshtë për moshën e tyre, del që shtatzanitë e nënave të djemve të rënë ishin shtatzani në kohë lufte, të viteve 19, 20, 21, të atyre viteve kur gjëmonte dyfeku në Kotë e Drashovicë dhe ku burrat tepelenas shkruajtën një epope të ndritur gjaku.

E me që jemi tek lufta le të ngjitemi pak në Kurvelesh.

“Kurvelesh, o zemra ime, Kurvelesh

Të dërgon Duçja lëvdime, Kurvelesh…”

 

Ndërsa ti shqyen sytë se si është e mundur kjo hata, se si ka ndodhur ky turp aty ku nuk ka patur kurrë tradhnjëëtipërgjigja vjen si.rrufe artistike. I beftë dhe drithërues, vjen vargu gjëmëmadh që të shastis… “Me top e me bombardime….

Ne marrim frymë lirisht.

Doemos, këto janë lëvdimet që mund të dërgoj Duçja e me këto lëvdohet Kurveleshi ynë. Gjetja është gjeniale. Të tillë dekorata pranon Kurveleshi i Bilbilenjve, asgjë tjetër. Me to është mësuar prej njëmijë e ca vjetësh. Dhe tjatër lëvdatë nuk do veç heroizmit të tij. Një mrekulli e tërë në pesë gjashtë vargje. Tabloja është rrënqethëse, njerëzia është nëpër shpella, po nuk jepet, qiejve kalojnë gjylet dhe foshnjat kanë mbetur jetime. Po nënat nuk jepen edhe kur qumështi i gjirit thahet nga rropama e luftës. E tillë është kjo rracë e pamposhtur, nuk jepet edhe kur greku vjen me urë në dorë sin ë vitin 1913.

Sec na erdhi greku me urë në dorë

Gratë e Kurveleshit shkojnë për në Vlorë,

Me djepe në krah, me foshnja në dorë,

Qaj, moj Shqipëri, ulër moj e gjorë..

 

Këtu vargu i parë është i çuditshëm. Nuk fillon me mjerimin e masakrave ashtu sikundër mund të pritet në një këngë lufte. Por me habinë e madhe deri në një hata. Ka ndodhur një gjëmë. Fqinji, me të cilin ka kaluar një vëllazëri prej qindra shekujsh ka bërë një gjë të pamendueshme. Është cmendur dhe është vërsulur me urën e zjarrit në dorë kundër vëllait të tij, sapo ai ka formuar një shtet. Tek fjala e vogël “seç” është mpiksur një habi deri në tmerr. Kjo është fuqia marramendëse e këngëve tepelenase, e poetëve të rrallë që lindin këto male. Më tej pamja është biblike dhe e gdhendur me kaq pak fjalë. Mijra gra dhe fëmijë zvarriten poshtë nëpër ullishtat e Vlorës, por burrat janë aty, tek përroi i Salarisë ku beteja vazhdon me muaj të tërë dhëmbë për dhëmbë. Nuk ka gjumë viti 1913. Dhe kënga labe tepelenase, si asnjë historian, gazetë apo akademi e tërë sjellë në tre rreshta tërë atmosferën e luftës aty. Një grusht burrash, të futur në një shpellë diku matanë përroit të Salarisë, presin agimin që të dalin të luftojnë. Por gjylet nuk i flenë të marrin një sy gjumë për ditë të tëra. Dhe ja se si përshkruhet në mënyrë gjeniale një situatë lufte.

Hall i madh që na ka zënë,

Nuk na lënë gjylet të flemë,

Do këndojmë apo çdo bëjmë?!

 

Ç’janë këta burra të marrë që nuk ua bën syri tërr. Nuk dinë ku i kanë fëmijët, nuk dinë në se do gdhihen gjallë deri nesër. Po atyre aq u bënë. Me që është errësirë dhe nuk luftojnë dot, atëherë mund të këndojnë këngë labe, një ilaç çudibërës për zemrën. Të tjerët nuk e dinë, po ata e dinë që në bark të nënës se si mbahet zemra gjallë. Me këngë labe…

Çfarë njerëzish janë këta që luftën dhe vdekjen e kanë kaq të zakonshme e të papërfillshme. A kanë emra dhe çfarë sekreti zotërojnë?! Kënga vjen në ndihmë me spjegime të kursyera deri në magjepsje.

Mersin Meçe, rahmet xhani,

Hodhi zinxhirët tek varri…

O djem këtu u mbani,

Se nuk ka vend Junani…

Si është e mundur që të vizatohet vetëm më 15-16 fjalë një portret kaq i qartë dhe madhështor? Ja që kjo mund të ndodh në këngën labe tepelenase. Një burrë nga Dhemblani bën të pabërën, na thotë kënga. Lidhet me zinxhirë pas varrit të vet. Domethënë bën një pakt me varrin e tij. Dhe tani ç’mund t’i bëjnë gjylet këtij Mersin Meçes?! Më thuani ju, me se mund ta trembësh këtë burrë? Fuqia e këtyre vargjeve është një magji që nuk komentohet. Dhe nuk e tepëroj aspak, në se ju them që ajo ia kalon për nga dendësia artistike dhe emocionale edhe Lidhjes së Prometeut me zinxhirë te vepra e Eskilit “Prometeu i Lidhur.”

Dhe ja, sepse…Në se heroi i parë i botës, Prometeu, pasi u vodhi zjarrin dhe gërmat në Olimp Perëndive dhe ua dha njerëzve, Zeusi e dënoi duke e lidhur me zinxhirë tek shkëmbinjtë e Skithisë. Por ky heroi i këngës labe këtu është ku e ku më i paepur. Nuk e lidhin, vetëlidhet në emër të lirisë pas varrit të tij.

Shtatë vjet më vonë, një shoku tjetër të Mersinit i vjen thirrja e luftës në mënyrë urdhërore:

“O Selam do veç në Vlorë….

Do vete në paça forë,

Vini re se cfarë modestie prekëse dhe përgjigje të pabujë zgjedh poeti popullor në përgjigjen e Selam Musait. Sa burrërisht përgjigjet: “do vete në paça forë.”

Dhe si për t’i ngritur kultin e lavdisë Heroit të Njëzetës, poeti popullor tepelenas gjen një rrugë të tërthortë që të shqyen mendjen për nga bukuria mahnitëse. Nuk e vlerëson vetë Selam Musanë, por gjen një gjykatës suprem, më të madhin e jetës mbi tokë, diellin. Ia drejton atij pyetjen se ku bie, kur del në mëngjez, ku ka qejf të ndriçoj përsëpari.

“O dielli proto ku bie? “

Dhe dielli e ka përgjigjen në majë të gjuhës:

“Në malet të Salarie…”

Selam Musai kur vije… e të tjera.

 

Se përse dielli bje më parë se në Himalaje në këta “malet e Salarie,” kjo nuk ka nevojë për spjegim dhe poeti popullor nuk merret me sqarime të kota, nga ato që bëjnë të patalentuarit. I kursen fjalët se ato i çmon më shumë se floriri. Dielli është diell dhe e di vetë se çfarë burrash nderon. Mençuri drithëruese. Gjetje brilante nga ato që edhe Shekspiri mund t’i kish zili. Po, pa asnjë mëdyshje fuqia e këtij folklori është mahnitëse.

Dhe më tej… Si mos të jesh krenar kur deri më sot kryevepra e folklorit shqiptar, kënga “Mbecë more shokë, mbeçë…” është mbledhur së pari në Dhemblan të Tepelenës dhe nuk ka ende një dëshmi tjetër t’ia rrëzoj gjeografinë. Të gjitha gjasat janë që djepi i saj i ngjizjes është Tepelena. Struktura e saj dhe sidomos trajta e foljes “mbeçë” e përforcojnë edhe më shumë këtë pohim.

Lakonizmi, ja magjia e artit të madh. Kapërcime të befta që të trondisin.

“Ra një ves e mbuloi dhenë,

ra Tafili në Tepelenë…

Çfarë prisni që të ketë midis vargut të parë dhe të dytë, sqarime se përse është këtu fjala?! Për shpejtësinë e këtyre burrave, për befasinë e këtij trimi dhe të shokëve të tij. Paralelizmi midis vesës që bie e mbulon dhenë dhe kryengritësve të Tafili nga Buzi, nuk ka nevojë për asnjë koment. Në letërsi, arti i heqjes së fjalëve të teprta në një poezi quhet elips dhe është një kryemjeshtëri e të shkruarit. Populli as që e ka dëgjuar ndonjëherë këtë fjalë, por e di me zemër, me instikt, me gjak. Ja që e di, sepse ka lindur bashkë me këngën, e ka atë mu në gjakun e tij.

Në një këngë për Hodo Nivicën vijnë nga Tepelena jonë ca pamje që nuk i gjen dot as poshtë mureve të Trojës, nga ato që shkruan babai i letërsisë botërore, Homeri. Në se ato do të ishin përkthyer në gjhuhë të mëdha dhe do të ishin bërë pronë e artit botëror, krahasimet e mia nuk do t’ju dukeshin aspak të tepërta.

Ja seç ndodh në këto vargje…Pas shumë betejash Hodo Aliut i ka ardhur ora e rënies. Poeti popullor bën një kataklizëm të vërtetë me tre vargje mahnitës.

Gjylja mbi kokë i ra,

Koka më dysh iu ça,

Ai bën sikur se pa…

Vetëm një letërsi e madhe mund të krijojë skena të tilla madhështore përtej arsyes. Ka rënë gjysma e kokës në tokë. Mirëpo Hodua është ende në këmbë edhe dy- tre sekonda me gjysmën e kokës tjetër. Ka akoma një sy për të parë se cfarë ndodhi. Mirëpo ai as që denjon ta shikojë gjysmen e kokës që është rrokullisur në tokë. As që do t’ia dijë ky farë trimi. Aq i bën për të. A thua se ajo gjysëm koke që pranoi të binte përdhe nga një gjyle, nuk e meriton të vështohet fare, përderisa nuk qe e zonja të qëndrojë ende mbi supe, si gjysma tjetër. Në të vërtetë vargu i tretë thotë, “ai bën sikur se pa” Domethënë e ka parë, po bën sikur nuk e ka parë, nuk begenis fare ti kushtojë vemendje. E pse do t’i dhimnset atij vetja. Atij i janë vrarë gati të tërë shokët. Si mund të ketë tani keqardhje për vetveten.

Po tërë këto arsyetime poetike që bëra unë deri tani, poeti popullor i thotë më shkurt e më bukur vetëm me dy vargje. E pyet Hodon se ku i ka lotët tani që po vdes. Përgjigja është rrënuese:

 

“O Hodo çi bëre lotët

i kam derdhur për shokët… “

 

Ja pra pse nuk e llogarit më fare veten. Nuk i kanë mbetur më shokë dhe ky është fundi i botës, si mund të rrohet më tej pa ta.

“Bilbilenjtë shkojnë kaluar,

Me byzylykë në duar…”

 

Ç’janë këta burra që mbajnë byzylykë në duar kur dihet që ato i mbajnë vetëm gratë. Eh! Ka ca raste kur edhe burrat vënë byzylykë dhe ato dihet që janë prangat. Por jo prangat që u vihen ordinerëve, por burrave të lirisë…Çfarë bizhuterie e çuditshme. Prangat vezullojnë si flori e shkuar floririt në duart e heronjve.

Nuk ka asnjë burrë të madh lufte që kënga e Tepelenës ta ketë lënë pa monumentin e pashkatërrueshëm të këngës. Por do të na duhej shumë kohë t’i përmendnim të gjithë, se ata janë aq të shumtë këtyre anëve. Nuk do të futemi tek figura e Ali Pashë Tepelenës, “gjarpëri që drodhi dhenë.” Se ai, është “gjëmimi që gjëmon” dhe nuk do t’ia dalim dot në krye.

 

Nuk e di se sa të vështirë do ta kishte historia pa këtë pasuri kolosale. Përveç bukurisë dhe tronditjes emocionale që të sjellin, burimet e tyre informuese janë kaq të sakta dhe detajuese, sa ndonjëherë as kronikanët më skrupuloz nuk do të ishin kaq të padiskutueshëm. Doni të dini se në çmuaj i kapën bilbilenjtë, këtë ua thotë kënga. Në shkurt ndodhi, ai shkurti që hodhi borë të rëndë. Ku i çuan, në këmbë apo kaluar, ku ishte vendi i varjes, në cfarë peme, si vdiqën, ç’fjalë thanë tek cigarja e fundit. Aty i kemi, tek kënga, tek ajo kënga e tyre me pesë- gjashtë vargje të shkretë për nga sasia, por që krijojnë një botë të tërë, a thua se po i sheh si në një film epokal.

 

Ishim deri tani nëpër ca të pakta këngë trimërie, por po të futemi në këngët e dashurisë, aty do të pataksemi edhe ca më shumë me bukurinë e këtij folklori marramendës të Tepelenës sonë. Nuk do të zgjatem me to dhe do të sjell vetëm dy a tre shembuj, për të mos u marrë kohën.

 

Do t’ju citoj një këngë që në pamjen e parë duket thjesht si një këngë e thjeshtë vuajtjeje, por që vlen sa një dramë e tërë.

 

O kokë e qëne, moj qëne,

pse s’dite për veten tënde,

nga bodrumi pse s’u trembe?

Bodrum nate e bodrum ditë,

na qorroi kandili sytë.

- Ç’haber më dërgon moj, Vitë?!

-Çaj hapsanën, dil e ik!

 

Kjo është një poemë e tërë dhe një kryevepër, e rrallë dhe e pashoqe për nga dendësia dhe fuqia artistike. Është si një skenar filmi, ku nuk mungon asgje, nga vetmia homerike e gurëve, drita e pakët si në ferr prej kandilit që po e verbon, lagështia e fjalës bodrum, dhe deri tek harresa e shokve dhe miqve. Është tërë jeta njerëzore.

Dhe befas atëherë kur mendon se këtij njeriu nuk i ka mbetur asgjë më për të jetuar, ai i drejtohet të vetmit çengel shpëtimi, një gruaje, një Vite, ( = një bukurie, zane, drite, gruas së tij të jetë.) Çuditërisht ajo bën atë që nuk pritet prej një gruaje. Ndërsa ti prêt që ajo të qaravitet, të përlotet, ta mishërojë e t’i japë shpresë a mëshirë me ca fjalë përkëdhelëse, vijnë fjalët e saj si një marsh trimërie, pikërisht në kohën urdhërore. “Vita” i kujton të vetmen gjë që mund të bëjë një burrë si ai që ajo dashuron…I thotë të çaj hapsanën dhe të dalë, të iki drejt saj….

Ajo beson se ai mund ta bëj për të.

Edhe gratë e “Iliadës” qajnë sipër mureve të Trojës për burrat e tyre që po ndeshen e po vriten. Kjo jo. Përkundrazi…

Çfarë gruaje, çfarë vlerësimi për veten e saj, cfarë besimi tek fuqia e burrit që do, çfarë zemre me kocke ka kjo grua labe!…

Dhe çfarë nderimi ka për femrën në këto këngë!

 

“Gryka me gjerdane zënë,

Dhe një çikë që kishe lënë,

Ndrinte si bora në hënë…

 

Ajo.. ka harruar të mbërthej komçën e fudit të fustanit dhe Ai ka parë një pjesë të qafës së saj farfuritëse. Kaq ka mjaftuar për të lindur një kryevepër poetike.

Ballëpërballë ata kanë qënë vetëm disa sekonda…Ajo, “leshraverdha, tëndë-tëndë,” që brenda një ose dy sekondash i ka kthyer shpinën në kalim e sipër. Mirëpo në ato dy sekonda të shkreta, ai me sa duket pati kohë të vinte re që fustani i saj, i kopsitur deri afër grykës, kishte një hapësirë të pambyllur… E aty derdhej një çikëz gushë, nga gryka e saj… me “ moj, grykëzënë”

Ka ndodhur çudia… një nga dy-tre çuditë më të mëdha të gjithë poezisë popullore shqipe…dhe të të gjithë kohrave….

Prej asaj copëzës së vogël në qafën e një vajze, të një vashe diku në një katund të humbur malor, lindën dy nga vargjet më të fuqishme që kam dëgjuar në këtë jetë prej fjalës shqipe…

 

Dhe një çikë që kishe lënë,

Ndrinte si bora në hënë…

 

Atij duhet t’i ketë kaluar nëpër trup drithërima e borës, një shkumbë e madhe mornicash. Nuk ka qënë drita dhe përndritja e qafës së saj, që i ka sjellë asosacionin e borës ndër mendje. Së paku në çastin e parë. Përkundrazi, ndjesia e borës i ka ardhur së brendëshmi. Pastaj duhet t’i ketë mbrritur vegimi i shkëlqimit verbues që jepte në sytë e tij ajo qafa e saj e hollë dhe e gjatë…

Mirëpo edhe pse e bardhë dhe rrezëllitëse si dëbora e virgjër e shpateve të malit, ku ai është rritur, nuk e ka ngopur dot poetikisht për njëmijë arsye zemrën e tij. Është e vërtetë që ajo qafë ka po atë bardhësi dhe virgjëri si bora e pashkelur e maleve të tij. Eshtë e vertetë që është po aq delikate dhe e brishtë si ajo, t’i merr sytë e t’i lëbyr me përshkëndritjen e saj. Por kjo nuk mjafton. Si djalë fshati, madje si bari, që kushedi se sa netë i ka kaluar me bagëtitë e tij në stane, ai e ka parë dëborën nën dritën e hënës dhe ajo e ka magjepsur. Thonë se drita e hënës mbi dëborë është si e përtejbotshme.

 

Mirëpo në se këtu hëna është hënë e dashurisë, kënga labe tepelenase ka sa e sa hënëra të tjera…Ja një hënë tjetër nga ato që nuk ta prêt mendja.

 

“Doli Hëna për kusar,/ dil, moj Hënë!”

 

Si njeri i letrave kam dëgjuar tërë jetën që ka hënë dashurie, hënë pesëmbëdhjetë që i bën vajzat e pamartuara t’u dhembin gjinjtë netëve, hënë çobenësh, hënë mbi dëborë, hënë për kullotën e mëngjezit, hënë për qafën e grave (“dhe një cikë që kishe lënë? ndrinte si bora në hënë,”) hënë për dasma dhe për ujët e ri të dhëndërrit, hënë lugate, hënë që lan fëmijët në gjumë (melaiqet- ëngjejt) hënë fyelli për kuje gjëmash, për të lajmëruar të dashurën (Tanë, moj e zeza Tanë…, ) hënë malli.

Janë të pafgundme Hënë-rat në folklorin tepelenas. Po se paska edhe një hënë për kusarë, ja këtë e vura re nje ditë krejt papritur.

Eshtë një varg i mahnitshëm artistikisht. Si qenka kështu një hënë që dalka apostafat vetëm për kusarët?! Si dreqin është? E plotë, hënë kunadhe nëpër re, hënë kurnace, e ftohtë si një teh thike apo kushedi se si?! Këtë vetëm këngët labe të tepelenës e dinë dhe e merr vesh vetëm kur i dëgjon të kënduara nga këngëtarë të mëdhenj. Kuptimin nuk ua gjen dot nëpër fjalë, po në shpirt, në mënyrën si zgjatet dhe ndërpritet fryma e marrësit, e isos… E dëgjoj dhe e ridëgjoj dhe ende s’ia marr dot vesh të fshehtat. Diku shfaqet në këngë një shark që ia veshin dhëndërr- vëllait, po ku niset ky dhëndërr? Dhe pse e lë ai shtëpinë për t’u nisur nën një hënë kusarësh? Vë veshin të dëgjosh më tej, por hëna ikën, bje terri, kënga pushon, isua ndërpritet si me thikë dhe ti mbetesh në mister, krej në terrin e pyetjeve pafund.

“Doli, Hëna për kusar,

Dil, moj Hënë!”

Duket sikur thirrja nuk vjen prej atyre që po nisen, por prej një tjetri.Kush është ai/ ajo tek lutet që hena të kusaroj mire në qiell?!. Po ata që janë nisur për kusarë?!

Mos kërkoni të dini për këtë. Është e pamundur të dihet kjo. Por shijoni këtë varg madhështor në kohën “lutëse” që i drejtohet Hënës lart në qiell! Kalendari i hënës në këngët me iso është i çmeritur deri aty ku nuk ta pret mendja! Si për çudi, Dielli, ai që duhet të ishte një sovran këngësh, gjendet pak, mjerueshëm aq pak, sa të vjen keq për të. Ndërsa asaj, Hënës, nuk i gjendet fundi i hijeshisë nëpër këngë. Ndoshta nga që ashtu si këngët, që më mirë ngjizen e venë natën, edhe ajo është gjaku i natës.

Doli Hëna për kusar…/dil, moj Hënë!

Për ç’vjedhje, natën, ca burra Labërie në Tepelenë janë nisur me nxitim?!

Për ndonjë “grykëzënë,” që babai nuk do t’ia japë këtij trimit, që ka vendosur të dhëndërroi me kokën e tij jetën e vet?! Të gjitha këto nuk kanë pikë rëndësie.

Por ata, duke u nisur një natë për Diku, shpikën edhe një Hënë të re, që nuk gjendej në asnjë kalendar astronomie e as në ndonjë letërsi të deritanishme.

Zoti e bekoftë “shpikjen e tyre!

 

Ndjesë që ndoshta u zgjata. Por ju të gjithë këtu, ashtu si unë, jini lebër nga palca e Labërisë, nga Tepelena dhe nuk kini të ngopur me këngë labe.

Së fundmi më lejoni që këtë shkrim tua dedikoj si një homazh nderimi krijuesve tepelenas që e pasuruan me krijimtarinë e tyre popullore folklorin tepelenas, si Maliq Lila, Alush Milori, Zaho Balili dhe sa e sa të tjerë.

Ju falemnderit për vemendjen!

23 Qershor

Vote

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Bashkeatdhetar!
Te diel ne 23 Qershor jeni thirrur te hidhni voten tuaj per zgjedhjet kuvendore. Nje kerkese kam per te gjithe ju.
Jepjani voten kujt te deshironi ju, votoni ne baze te kandidateve, programeve, apo dhe flete te bardha, por vetem mos e shisni voten, sepse vota eshte mjeti me e mire qe kemi per te thene fjalen tone.
Ofertat jane te majme, disa ju orfojne vende pune, disa japin lek ne dore, disa shlyejn “defteret” qe shqiptaret kane borxh neper dyqane e disa te tjere me ushqime.
Mendoni se sa e sa njerez kane dhene jeten per te fituar kete te drejte, kujtoni sa kemi vuajtur si komb per nje vote te lire dhe jo te diktuar. Nje vote e shitur per nje kile sheqer dhe per nje pako kafe ka pasoja per 4 vjet e mos them me teper se keta po u ulen ne karrige s’ka burre nene ti coje.
Nje fjale e urte thote “Cdo popull meriton ate qeveri qe ka” le ti japim me ne fund Shqiperise, pas 100 vjet shtet, ate qeveri qe me te vertet merriton.

Polls

Ju pelqen radio jone

View Results

Loading ... Loading ...
Fjale te urta
Mos i shiko gunen po punen